Kryeministri Edi Rama gjatë një konferencë me kryetarët e parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane u shpreh se Europa është zgjedhja e parë me vullnet të lirë e shqiptarëve. Prandaj për këtë arsye, ai u shpreh se Shqipëria nuk do të heqë dorë dhe se plani i vetëm për vendin tonë është Europa.
“Europa për ne është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë në histori. Kemi qenë nën perandori të ndryshme. Na është dashur të jetojmë nën flamuj të ndryshëm, por nuk ishte zgjedhja jonë. Ishim të detyruar ta bënim këtë. Ishim të detyruar të jetonim në diktaturën komuniste ashtu siç ishim të detyruar t’u përkisnim komuniteteve politike që nuk i zgjodhëm. Europa është zgjedhja jonë e parë me vullnet të lirë. Kjo është arsyeja pse me kokëfortësi po shtyjmë përpara dhe kjo është arsyeja pse nuk mendojmë aspak që të heqim dorë, dhe nuk po mendojmë për plan A, B dhe C. Për Shqipërinë plani A, B dhe C është Europa”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është e vogël në rajon, por nëse të gjitha vendet bashkojnë forcat atëherë mund të jenë të mëdhenj dhe të ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme. Sa i përket procesit të integrimit në BE, kryeministri tha se Shqipëria ndodhet në një situata të çuditshme që ta ofron vetëm BE-ja sepse ka mbetur peng i një mosmarrëveshje mes dy vendeve të tjera.
“Së bashku duke bashkuar forcat, duke bashkuar idetë, punën nuk jemi kaq të vegjël. Hapësira që mund të krijojmë mund të jetë shumë herë më tërheqëse për aktorët e mëdhenj që të na shohin si një tokë mundësish të jashtëzakonshme edhe për ta. Të gjithë ne, jemi në proces për t’u integruar në BE që e kemi mësuar që nuk është proces i lehtë dhe ndonjëherë është proces neurotik. Ndërkohë që flasim Shqipëria është në një situatë shumë të çuditshme, peng i një bllokimi midis fqinjit tonë RMV dhe vendit mik, Bullgarisë. Është nga ato lloj situatash që vetëm BE mund ta krijojë dhe nuk ka libër, përvojë e nuk ka ndonjë shpjegim të matur si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i një mosmarrëveshje mes dy vendeve të tjera? Por ja që kështu është siç do thoshte Donald Trump. Do na duhet të ecim përpara, të mos humbasim durimin dhe të mos humbasim pasionin për Europën”.
Sa i përket nismës Adriatiko-Joniane, Rama tha se “është diç ka që i shtohet nismave të shpeshta e të shumta të zhvillimit, paqes dhe zhvillimit e në një periudhë kohe ku ka mundësi për të kërkuar dhe siguruar që të kthehen në ndryshime. Ajo që po ndodh sot në Europë, jo larg prej këtej, në Ukrainë është mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që të vazhdojmë dhe të ecim në rrugën e forcimit të paqes dhe bashkëpunimit për të shmangur në të gjitha mënyrat rënien në kurthet e së shkuarës”.
Ndërkohë pasi tregoi që vendi ynë do të mirëpresë finalen e Conference League, Rama e mori si shembull të transformimit të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit.
“Do doja ta nisja me këtë, thjesht për të theksuar faktin që ky eveniment ishte i pamundur të përfytyrohej vetëm pak vjet më parë. Thënë këtë dua të shtoj se masa e transformimit tonë në këtë cep të botës pasi dolëm nga përvoja e tmerrshme e diktaturës pasqyron shumë masën e barrës sonë në histori. E shkuara ka qenë më pak bujare me ne. E kësisoj shtegu drejt së ardhmes është më i vështirë. Pasi kam thënë këtë besoj se shndërrimi që kemi parë në vendin tonë dhe në të gjitha vendet e tjera këto 30 vitet e fundit është i pashembullt kur bëhet fjalë për thellësinë dhe ndikimin real mbi vendet dhe mbi njerëzit. Kemi bërë një rrugë të gjatë e një rrugë të gjatë kemi përpara sidomos për ne shqiptarët, ku historia na ka caktuar apo na caktoi një izolim të vështirë me një barbari të spikatur. Sidoqoftë shkalla e transformimit që Shqipëria ka përjetuar gjatë kësaj dekade është shumë e madhe”, tha Rama.