Më shumë mundësi, kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në seancën plenare të 12 shtatorit për t’iu përgjigjur opozitës lidhur me mbetjet toksike.
Të paktën kështu ka deklaruar kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi.
Në një prononcim për mediat, ai theksoi se “do të jetë një interpelancë në zbatim të rregullores”.
Lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Peleshi nënvizoi se “do respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.
“Ne nuk i diskutojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese si çështje politike. Kjo çështje nuk është në rend dite, nuk është diskutuar sot. Vendimi do lexohet personalisht nga çdo deputet. Nuk ka vendim politik. Do i drejtohemi Komisionit të Venecias, në parim për çdo situatë tjetër që mund të paraqitet në të ardhmen. Të dy raportet apo mendimet nuk kanë diferenca thelbësore, ne jemi përqendruar te detyrimi që kemi për ta zbatuar vendimin pa komente politike. Këshilli i Legjislacionit, në miratimin e të gjithë anëtarëve, ka kaluar në seancë për votim mocionin”, u shpreh Peleshi.