Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim sot me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje nga platforma e bashkëqeverisjes.
Ai u përball me një grua nga Vlora e cila tregoi rastin e pushimit nga Ministria e Turizmit dhe kalvarin e saj të gjatë nëpër gjykata për t’u rikthyer në vendin e punës.
Rama pranoi se faji është i qeverisë, ndërsa theksoi se i vjen zor nga ngjarja që ka ndodhur.
Qytetarja: “Pas një eksperience 7 vjeçare në administratë, vendosa të konkurroja për të qenë në profilin tim, në fushën e Turizmit. U krijua ministria e asaj kohe dhe nëpërmjet DAPP-it konkurrova dhe fitova në një nga vendet që unë dëshiroja. Pasi kalova me sukses shkollën e administratës publike dhe u certifikova si nënpunëse civile në fund të viti të provës, drejtorët vendosën të mos më konfirmojnë si nënpunëse.
Vendosa ta ndiqja këtë çështje në gjykatë në vitin 2015 dhe e mbrojta e vetme, pa avokat. Gjykata vendosi të më kthente në vendin e punës dhe të më paguante që nga dita e shkëputjes deri në momentin e emërimit. Apelohet nga ministria dhe e fitoj më 14 shkurt 2018 po e vetme, pa avokat.
Kisha lidhur një kontratë me përmbarues. Në shtator akoma nuk po merrte drejtim. Nga 25 shkurti i jam drejtuar platformës për bashkëqeverisje dhe pas tre ditësh jam thirrur dhe sqaruar se situata do merrte drejtim shumë shpejt. Sot jam po aty ku doja dhe falë platformës.”
Rama: Nga Vlora je?
Qytetarja: Po
Rama: Më vjen shumë zor që ka ndodhur kjo gjë se jam deputet i Vlorës, dhe në këtë rast nuk kemi kujt t’ia hedhim fajin dhe përgjegjësia është drejtpërdrejt e Qeverisë. Dhe ti ke jo faj, por vetëm një të metë që nuk e ke bërë më përpara këtë kërkesë se dhe platforma ka kohë që ekziston dhe do e kishe marrë më shpejt përgjigje. Por unë të siguroj për një gjë që shkaktarët e këtij kalvari do ndëshkohen, drejtori apo drejtorët që të kanë mohuar të drejtën dhe të kanë persekutuar në kuptimin më të plotë të fjalës do largohen.
Gruaja: Janë larguar.
Rama: Epo mirë kjo tregon që edhe pjesa tjetër që them është e vërtetë, që kur fitojnë viktimat e abuzimit të administratës ndëshkohen xhelatët dhe më vjen shumë mirë që xhelatët e t’u janë larguar.