Kryeministri Edi Rama përcolli këtë të hënë një tjetër zë pro ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë sjell qëndrimin e regjisorit Altin Basha, i cili thotë se godina aktuale nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore.
“Regjisori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese”, shkruan Rama ndërsa përcjell mendimin e regjisorit:
“Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët”, shprehet regjisori Altin Basha.