Kryeministri Edi Rama ripërsëriti edhe njëherë premtimin se do të sjellë me avionin e parë që do të ulet në aeroportin e Kukësit ata persona që e kanë sharë dhe përqeshur më shumë për këtë çështje nga Londra.
Kreu i qeverisë tha teksa prezantonte ekipin e kandidatëve socialistë të Kukësit, se së shpejti do të hapen dyert e aeroportit të ri.
Ai theksoi ndër të tjera se aeroportet ndihmojnë në nxitjen e investimeve dhe rritjen ekonomike.
“Jam i sigurt që e ardhmja e Kukësit është turizmi, me aeroportin që do të çelë dyert së shpejti. Faktikisht kemi caktuar edhe një datë për të ulur avionin e parë në Kukës dhe për të sjellë ata që e kam premtuar në krye të herës, që më kanë sharë dhe përqeshur më shumë nga Londra, do të krijojmë një platformë ekonomike krejt të re.
Shumëkush më thotë ç’na duhen ne aeroportet, ç’na duhen ne portet, ne duam bukë. Së pari për bukë shqiptarët nuk kanë vuajtur që nga koha e Skënderbeut, në kuptimin e ngushtë të fjalës bukë. Nuk ka vdekur asnjë shqiptar për buke që nga koha e Skënderbeut për njëmijë e një arsye që nuk ka nevojë t’i shtjellojmë këtu, por nëse i referohemi bukës si metaforës që ka të bëjë me mirëqenien, me ekonominë, me sigurinë e familjes, aeroportet janë fabrika buke në sensin që sjellin konsumatorë pa fund dhe krijojnë kushtet për të pasur mundësi ofertash të të gjitha natyrave për ta.
Është fakt i njohur që një aeroport e ka kthimin e investimit në ekonomi një euro e shpenzuar, 23 euro të kthyera në një periudhë afatmesme. Aeroportet sjellin investimet pasi mundësia për të ardhur në Kukës drejtpërdrejtë krijon kushtet që çdokush që do të eksplorojë bukuritë mahnitëse të Kukësit, që do të skijojë në Shishtavec apo gjetkë, që do të shijojë klimën e jashtëzakonshme gjatë kurorës këtu gjatë verërave të nxehta të vijë patjetër, por ndërkohë kjo nxit investimet, shërbimet, nxit ekonominë dhe punësimin. Kjo është gjëja më e thjeshtë për tu kuptuar”, deklaroi Rama nga Kukësi.