Kryesore Rama: Plazhet hapen në 1 qershor vetëm për hotelet, më 10 qershor...

Rama: Plazhet hapen në 1 qershor vetëm për hotelet, më 10 qershor për të gjithë

Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e kësaj të diele masat e reja duke nisur nga data 1 Qershor. Kështu, nga e hëna e ardhshme, Rama tha se do të hapen kufijtë tokësorë me fqinjët.

“Duke nisur nga e hëna e 1 Qershorit do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë, apo të Kosovës, Maqedonisë së Veriut a Malit të Zi. Ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim, për kujdes, kujdes, kujdes”.

Sa i përket plazheve, Kryeministri tha se nga 1 Qershori ato do të hapen vetëm për hotelet dhe nga 10 Qershori për të gjithë qytetarët.

“Në 1 Qershor do të hapen kufijtë, por ende jo plazhet. Kam marrë të shara me libër shtëpie dje nga plazhistë në Dhërmi, që i kishte ngritur e përzënë policia. Nuk kam ndërmend të bëj të mirin për t’i hapur rrugë të keqes. Askush sot në Europë nuk i ka hapur plazhet, nuk ka asnjë vend që ka hapur plazhet. Greqia ka vendosur t’i hapë plazhet në Korrik, të tjerë nuk kanë vendosur ende. Ndërsa ne do t’i hapim nga 1 Qershori vetëm për hotelet dhe pas 10 Qershorit për të gjithë pa përjashtim.”

Kryeministri njoftoi gjithashtu se “kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në Tiranë dhe në qytetet tona, por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela”.

“Për t’u rikthyer pas sezonit të verës çdo të diel minimalisht, nga Tetori dhe deri në Marsin e ardhshëm, si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit, mjedisit tonë“.

Deri në fund të muajit, Kryeministri u shpreh se qeveria do të ketë strategjinë e re për transportin publik, duke e hapur atë pjesë-pjesë.

“Do t’i hapim pjesë-pjesë linjat e transportit publik, duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori në një pjesëmarrje direkte të shtetit, në garantimin e standardeve të reja, jo thjeshtë në funksion të mbrojtjes të shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik, urban dhe ndërurban nesër”.