Pas dy takimeve në Tiranë, kryeministri Edi Rama sot po zhvillon një takim me studentët në Universitetin e Vlorës.
Para nisjes së takimit, disa studentë u ulën këmbëkryq në hyrje të universitetit, ndërsa Rama i ka ftuar që të futen brenda godinës për të diskutuar në sallë për tetë kërkesat e tyre.
Por disa nga studentët kanë qëndruar vetëm pak minuta në sallë dhe janë larguar pas kërkesës drejtuar kryeministrit se duhet të përgjigjet zyrtarisht nëse i plotëson të gjitha kërkesat ose jo. Ndërkohë që me pjesën tjetër të studentëve vijon diskutimi.
Rama gjatë takimit me studentët në Vlorë u shpreh se qeveria nuk e ka mundësinë të ndërhyjë brenda universitetit. “Në Dhjetorin e parë në 1990 ne kërkonim të uleshim në tavolinë. Ne ishim kundër atij regjimi, ata duke pranuar dorëzimin do të pranonim të përfundonin me keq se përfunduam. Ne themi hajde ulemi. Ju thoni, jo se na e bën si Lulit. Po çfarë do të bëj, magji të zezë? Nëse nuk keni argumente, nuk keni. Unë them jam dakord me tetë pikat, apo doni të udhëheq protestën, se do shkonte më mirë, se ju po e çoni për lesh. Unë dua të vendosen angazhime nga studentët dhe universitetet. Nuk e ka qeveria mundësinë të ndërhyjë brenda universitetit. T’ia heqim? Domethënë të kthehemi në komunizëm? Keni dëgjuar edhe këtë pjesën që bën monolog, unë jam përballë jush dhe po u them flisni. Flisni sa të doni”, tha ai.
“Gjysmën e tarifës do e paguajë shteti për ju nga Janari. Për këtë vit ato që janë më katra do paguhen nga shteti, por jo më në vazhdim. Kush është me mesatare 9-10 do i paguhet tarifa nga shteti. Nga 8-9, do të paguhet 75% e tarifës. Nga mesatarja 7-8, studentët do paguajnë gjysmën e tarifës. Pjesa tjetër do të paguajë vetë. Kjo do të nisi nga viti që vjen,” deklaroi Rama gjatë takimit me studentët sot në Vlorë.