Ekonomi Rama: Po kërkojmë ndërtimin e një rafinerie të re nafte

Rama: Po kërkojmë ndërtimin e një rafinerie të re nafte

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me dhomat e biznesit u ndal edhe tek tregu i karburanteve. Ai u shpreh se nafta që prodhohet në Shqipëri është e rëndë. Po ashtu sipas tij, rafineria e cila është çmontuar, është jashtë çdo lloj mundësie për t’u rikuperuar.

Prandaj për këtë arsye ai u shpreh se qeveria si zgjidhje po kërkon ndërtimin e një rafinerie të re.

Problemi sipas kryeministrit nuk është thjesht ndërtimi i një rafinerie, por gjetja e naftës që do të prodhojë rafineria dhe kjo sipas tij është çështje gjeopolitike.

Rama theksoi se nëse realizohet rafineria dhe do të lidhen kontratat me naftën e duhur për përdorim atëherë mund të flitet për çmimin dhe konkurrencën.

“Sa i përket tregut të karburanteve përsëri dhe këtu jemi në kushtet e folklorit. Nuk ka Shqipëria kapacitete prodhimi të naftës në vend për të kompensuar çfarëdo qoftë. Nuk i ka! Shumë e thjeshtë! Nafta që prodhon Shqipëria është naftë e rëndë, dihet botërisht! Është naftë e cila tregtohet kryesisht për lëndë bituminoze. Nga ana tjetër rafineria e cila tanimë është çmontuar ishte jashtë çdo lloj mundësie për t’u rikuperuar. Nuk kemi lënë gjë pa provuar, nuk kemi lënë kompani pa sjellë dhe të gjitha kompanitë iknin. Nuk kemi pasur asnjë ofertë nga asnjë kompani serioze sepse thonin që është një investim shumë i madh dhe nuk ia vlen barra qiranë për ta bërë këtë investim sepse nuk e kthen me naftën që ju keni. Zgjidhja që ne po kërkojmë është ndërtimi i një rafinerie të re. Por Një rafineri të re mund ta ndërtosh nuk është problemi tek ndërtimi. Problemi është tek nafta. Ku e gjen naftën që do të prodhojë rafineria? Të gjesh naftën që do të prodhojë rafineria është gjeopolitikë. Shpresoj që ne do ia dalim. Akoma jemi në proces. Nuk mund të them që e kemi realizuar, por optimist që mund t’ia dalim. Nëse e realizojmë rafinerinë dhe do të lidhim kontratat e duhura me naftën e duhur për përdorim atëherë do të kalojmë në një nivel tjetër në këtë aspekt. Atëherë do të flasim për çmim, për konkurrencë, atëherë do të flasim për shumë gjëra të tjera”, tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se, “sot të thuash që ul barrën mbi çmimin e naftës dhe mjafton të luftohet kontrabanda, faktet nuk e tregojnë. Natyrisht që ka akoma punë për të bërë dhe jemi duke punuar për kontrollin, nuk diskutohet që ka evazion në fushën e karburanteve dhe po marrim masa që të forcojmë shumë kontrollin e karburanteve në mënyrë teknologjike dhe jo me inspektorë. Se sa më pak inspektorë aq më pak halle për biznesin, për financat dhe për moralin e shtetit. Jam besimplotë që do ia dalim”.