Kryesore Rama: Po ndjekim shembullin e Austrisë për masat lehtësuese

Rama: Po ndjekim shembullin e Austrisë për masat lehtësuese

Kryeministri, Edi Rama thotë se, Shqipëria do të ndjekë shembullin e Austrisë lidhur me masat lehtësuese por dhe kufizimet për parandalimin e COVID-19.

“Austria ka një plan hapjeje të ngjashëm me tonin dhe më të avancuar në kohë me rreth 10 ditë. Ka çfarë ka shkruar para pak minutash në Twitter kancelari austriak: “Qasja jonë në muajt e ardhshëm do të jetë e qartë: aq liri sa të jetë e mundur, aq shtrëngime sa të jetë e nevojshme. Nëse numrat do të lëvizin në drejtimin e gabuar, ne do përdorim frenat e emergjencës që do të jenë gati në çdo moment””, ka shkruar Rama.

Austria ishte vendi i dytë në Evropë që ndoqi fqinjët e tyre, Italinë, në vendosjen e masave kufizuese një muaj më parë. Qeveria thotë se ka arritur që të menaxhojë kurbën e të infektuarve edhe pse numërohen rreth 14 mijë raste dhe 368 vdekje.

Javën e kaluar, kreu i qeverisë Sebastian Kurz zbuloi planin për heqjen e masave gradualisht. Nga e marta, dyqanet nën 400 metra katror janë lejuar që të rihapen. Por, njerëzit duhet të mbajnë maskë në supermarkete dhe farmaci. Kurse dyqanet e mëdha pritet të rihapen më 1 maj ndërsa restorantet dhe hotelet mund të rihapen në mesin e majit.