Ruajtja fizike e objekteve të ndryshme që sot mbulohet kryesisht nga policitë private, duket se do të kryhet nga një strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit që është ende në fazën e përgatitjes.
Këtë e ka njoftuar vet Kryeministri Edi Rama, i cili tha se në këtë strukturë do të shërbejnë punonjës të Policisë së Shtetit që arrijnë një moshë të caktuar, të cilët do të zhvendosen në këtë departament për t’u lënë hapësirë të rinjve që t’u bashkohen uniformave blu. Sipas Kryeministrit, kjo metodë ristrukturimi do të shërbejë për të rregulluar problemin e moshës së lartë në radhët e Policisë së Shtetit.
“Besoj që vini në Policinë e Shtetit në një fazë të rëndësishme dhe të mesme, mes policisë që kishim, një policie të braktisur dhe tradhëtuar. Sot ne kemi përmbushur objektivin e vendosur nga një raport i bërë me partnerët disa vite më parë që ne e gjetëm gati për nivelet e pagës, sikundër kemi filluar të adresojmë problemin e moshës dhe të shkollimit. Por patjetër që do të kërkohen disa vite.
Besoj që me një reformë që ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit në formën e një ndërmarrje që do ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke iu krijuar më të moshuarve që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle të policisë private, që shpeshherë janë thithëse të mëdha të nevojave publike dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit. Një ndërmarrje moderne që do të sigurojë ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Këto deklarata, Rama i bëri në aktivitetin për nisjen e shkollës bazë të policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha gjithashtu se Akademia e Policisë do të përfshihet në programin e rindërtimit, duke marrë shkas nga “Pakti për Universitetin”.
“Pas 1 dekade të tërë mbyllje dhe braktisje, kjo akademi sot është rikthyer në jetë dhe ka nevojë për shumë më tepër akoma prandaj në kuadrin e Paktit për Universitetin, edhe kjo akademi do përfshihet në programin e madh të rindërtimit në bazë të një projekti që si të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të universiteteve, ne do të financojmë. Me urimin që si sot një vit, akademia të jetë një kantier i madh dhe ne të bëjmë transformim epokal”, deklaroi Rama.