Kryeministri Edi Rama thotë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është vënë në dispozicion LSI-së. Në një prononcimi të shkurtër për mediat pas mbledhjes me drejtuesit politikë të PS-së, kreu i qeverisë tha se Meta është zhveshur komplet nga funksioni i tij si kreu i shtetit. Deklaratat e Metës ditën e djeshme, Rama i quajti dhunë verbale dhe marrëzi të Presidentit.
“Është vërtetë fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Ilir Metës po ndodh shumë përpara kohe në një kuptim, nuk e di ku do shkojë kaq herët sa ka filluar, sepse nuk është hera e parë, por realisht është shumë e turpshme, sekëlldisëse për të gjithë ne që të kemi një individ në zyrën e Presidentit të Republikës që ka dalë komplet nga të gjitha shinat e funksionit të tij dhe ka vendosur veten dhe institucionin në dispozicion të një force të degraduar siç është partia prej së cilës ai vjen dhe drejt së cilës ai shkon. Është vërtetë për të ardhur keq”, tha Rama.
Rama foli edhe për kallëzimin që PD-ja i bëri në SPAK për incerenatorët dhe këtë e quajti një simptomë të mungesës së vizionit.
“Është një periudhë kur simptomat e dëshpërimit, simptomat e mungesës së vizionit, simptomat e inekzistencës së lidershipit të opozitës do të vijnë duke u bërë gjithmonë e më të dukshme, më të turpshme dhe fjalori shqip do të njohë një shpërdorim të madh, qoftë nga ana e partisë Demokratike, qoftë nga ana e partisë Presidenciale dhe është fakt që përballë kësaj marrëzie dhe degradimi nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse të vazhdojë punën tonë”, tha Rama.
Rama u shpreh se deri më tani janë 50 persona që kanë shprehur interes për platformën online të aplikimeve në PS për personat që duhet të bëhen pjesë e skuadrës socialiste për zgjedhjet e ardhshme.
“Më vjen mirë t’ju them se në platformën e aplikimeve për njerëz që duan të na bashkohen për vajza e djem, por edhe për tjerë që mund të mos jenë të rinj në moshë, por janë të rinj në ide dhe energji dhe duan të na bashkohen skuadrën tonë në këto pak ditë kemi më shumë se 50 shprehje interesi. Do të bëjmë një proces shumë skrupuloz për të integruar ata që kanë potencial për të qenë pjesë e skuadrës. Skuadra jonë do të jetë një skuadër që do të ketë edhe eksperiencës”, tha Rama.