Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sonte se Qeveria është në bisedime me një shtet tjetër mik për të marrë 360 mijë doza vaksinash anti-Covid të kompanisë AstraZeneca.
Në një deklaratë për mediat nga aeroporti i Rinasit, Rama tha se këto bisedime me shtetin mik nuk janë konkluduar ende në një marrëveshje.
Në këtë aspekt, Rama nuk ka dhënë informacione të tjera dhe as nuk ka treguar emrin e shtetit, deri në momentin që do të ekzistojë një marrëveshje formale.
“Sot kemi marrë konfirmim me shkrim nga një shtet mik për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca që do të fillojnë të lëvrohen në muajin Prill, por po e jap këtë si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe nuk kemi vulosur marrëveshjen sepse në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë, mund të duket pastaj si propagandë, si fushatë elektorale. Konfirmimi është si rezultat i një komunikimi shumë intensiv dhe shpresoj që ditët në vijim të kemi kontakt në nivel të lartë me qeverinë e këtij shteti dhe aty pastaj gjithçka do të jetë publike sepse nuk do të jetë kontakt sekret”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se paralelisht me punonjësit e shëndetit do të nisë edhe vaksinimi i të moshuarve.
“Do të fillojmë shtrirjen e vaksinimit në Vlorë dhe Shkodër dhe hap pas hapi, në varësi nga kalendari edhe në disa pika në Elbasan, Fier. Paralelisht me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve apo njerëz që punojnë në urgjencë, do të nisim dhe vaksinimin e më të moshuarve. Kemi bindjen se mund ta realizojmë vaksinimin për 14 muaj.
Është vetëm çështje disponimi të sasive. Me këtë lëvrim të periudhës së parë të Pfizer do të injektojmë masivisht vaksinën dhe me shpresën që javën tjetër do të marrim konfirmime të tjera të rëndësishme nga AstraZeneca apo shtetet e tjera mike”, u shpreh kryeministri gjatë një konferencë përpara gazetarëve.