Gazetarja e BBC, Yalda Hakim u prit këtë të diel nga Kryeministri Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, teksa shpërndau një foto krah gazetares, Kryeministri u shpreh i nderuar që po punon me njerëz si Hakim për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve afganë.
“Një nder të punosh krah për krah me Yalda Hakim të BBC dhe njerëz të tjerë të mëdhenj për të nxjerrë nga ferri fëmijë, gra dhe burra nga Afganistani dhe t’i bëjmë ata të ndihen si në shtëpi në Shqipëri. Pasi t’i strehojmë, do të duhet t’u ofrojmë atyre një jetë dhe do ta bëjmë këtë të gjithë së bashku. Për ne, për ata, për fëmijët tanë”, shkruajti Rama.
Më herët gjatë ditës së sotme, gazetarja dhe prezantuesja e njohur e BBC World News udhëtoi drejt Shëngjinit aty ku ndodhen dhjetëra gra dhe vajza, kryesisht pjesë e universitetit amerikan të vajzave në Kabul, por dhe të fondacionit që ajo drejton “The Yalda Hakim Foundation”.
Fondacioni i gazetares “The Yalda Hakim Foundation” nxori nga Afganistani i pushtuar nga kaosi disa javë më parë, 59 studentë nga American University of Kabul, bashkë me disa gazetarë, komedianë dhe prezantues radiofonik.