Politika Rama prezanton skuadrën, e nis me Bozon dhe Çomon: Kemi kundërshtarë të...

Rama prezanton skuadrën, e nis me Bozon dhe Çomon: Kemi kundërshtarë të çorganizuar

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar, këtë të mërkurë, skuadrën me të cilën PS-ja do të dalë në zgjedhjet e 25 prillit.

Në fillim të fjalës së tij, Edi Rama vlerësoi dy prurjet e reja në listat e PS-së, Luljeta Bozo, inxhinierja 79-vjeçare dhe Najada Çomos, drejtoreshën e Spitalit Infektiv Covid 1.

“Faleminderit të gjithëve ju për gatishmërinë për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre kombëtare të PS-së dhe për të çuar përpara këtë përpjekje për Shqipërinë që është e ardhmja jonë. Faleminderit Luljetës dhe Najadës, dy heroinave të kësaj kohe të jashtëzakonshme! Dy identitete të dy betejave tona më të vështira. Rindërtimi dhe luftën me armikun e padukshëm. Deputetja e të gjithë gjyshërve dhe gjysheve. Pensionistët do të përfaqësohen nga një prej tyre. Për herë të parë në Kuvend do të ulet një stërgjyshe, e cila nuk do të jetë në këtë rrugë vetëm për këtë cilësi, por edhe për cilësinë e një njeriu që ka jetuar me profesionin e vetë dhe që ka shkëlqyer me profesionin e vetë. Luljeta Bozo është një frymëzim. Ajo dëshmon se mosha e vërtetë është ajo e shpirtit, e mendjes, të cilat Luljeta i ka të mbushura me rini.

Nga ana tjetër, Najada është deputetja e heronjve tanë, është përfaqësuesja e tyre, por edhe përfaqësuesja e denjë e një përpjekje tërësore ku humbën jetën disa kolegë dhe kolege të saj në këtë betejë të egër”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se problemi më i madh i Partisë Socialiste janë kundërshtarët e çorganizuar, “të cilët kanë bërë gjithçka për të humbur ndeshjen, programe pa lidhje”. “Luftoni të fitoni çdo zemër dhe çdo mendje. Të gjithë në sulm për Shqipërinë e së ardhmes. Të gjithë në sulm për drejtësinë, arsimin, shëndetësinë e së ardhmes, në sulm për të mbrojtur popullin nga taksa e sheshtë; në sulm për të rritur pagën minimale, të cilën do ta çojmë patjetër në 400 mijë lekë”.