Taksa e sheshtë 9% është alternativa që kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar disa ditë më parë në programin e tij ekonomik. E ndërsa u pyet rreth kësaj çështje, kryeministri Edi Rama tha se të diskutosh për propozimet e PD-së është humbje kohe. Ai tha se programi i PD-së “është si karakteri i liderit të saj, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore”.
“Edhe pse unë me thënë të drejtën dhe e them sinqerisht kam përshtypjen që është kohë e humbur të diskutojmë propozimet e PD-së pasi në tërësinë e vet programi i PD-së është si karakteri i liderit të saj, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore, por sidoqoftë vlen, në parim them, që t’i përgjigjem pyetjes suaj sepse është një diskutim parimor që ndan qartësisht rrugët dhe alternativat tona”.
Rama bëri një krahasim mes taksës së sheshtë të propozuar nga demokratët dhe taksës progresive së qeverisë së tij. Ai u shpreh se taksa progresive, ose siç e quan ai taksa e ndershme, ka dhënë rezultate. Ai theksoi se është e nevojshme që të bëhet një rishikim mbi progresivitetin që përdoret mbi të ardhurat personale. Rama u shpreh se kjo do të bëhet pa lidhje me fushatën dhe zgjedhjet.
“Taksa e sheshtë është taksë për të pasurit. Taksa e sheshtë është taksë për t’iu dhënë edhe më shumë atyre që fitojnë më shumë dhe për t’iu marrë shpirtin atyre që fitojnë pak. Sot jemi në kushtet kur taksa jonë, që unë e quaj taksim të ndershëm dhe që konsiderohet si koncept taksë progresive është qartësisht një taksë që ka dhënë rezultate, qoftë në aspektin e moralit shoqëror, qoftë në aspektin e të ardhurave për individët dhe për shtetin. 23% të cilit i referoheni është keqinterpretim sepse 23% nuk fillon nga ajo pikë ku iu referuat 1.6 dhe ky është fakt. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën që të bëjmë një rishikim të progresivitetit për të ardhurat personale me synimin që të jemi më të hapur ndaj nevojës së atyre që janë jo në pjesën e sipërme fare, por në atë pjesën që ju prekët. Kjo do të bëhet bazuar në e para bindjen se është koha për ta bërë dhe ne kemi këtë bindje dhe e dyta do të bëhet pa asnjë lidhje me fushatë elektorale. Nuk duam që fushata dhe zgjedhjet të jenë një arsye për të dobësuar karakterin tonë, për të dobësuar atë që është baza e qeverisjes mbi parimin që kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak duhet të paguajnë më pak”.