“Bënë çmos për të penguar reformën në Drejtësi, dhe këtë e dinë mirë si socialistët ashtu dhe demokratët, që nuk hyjnë tek ata njerëz të verbër që i ranë me kokë kryeministrisë’”, tha kryeministri Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarët e Përmetit në takimin “Bashkia që duam”.
Duke folur për ngjarjet e javës së fundit, protestën e opozitës dhe djegien e mandateve parlamentare, Rama vuri në dukje se këto janë shprehja më kuptimplote e dëshpërimit që u ka errur sytë dhe u ka humbur ekuilibrin kolegëve në opozitë, nga frika e drejtësisë që po vjen.
“Tani shohin sesi po formohet prokuroria speciale antikorrupsion ndaj zyrtarëve të lartë që ishte një nga arsyet përse nuk e donin reformën në Drejtësi, një strukturë jo më e kontrolluar, e telekomanduar, po një prokurori që do të krijohet nga një sistem i ri dhe falë faktit që përpara se të jenë gjykatës e prokurorë, do të duhet që të kalojnë Vetingun që po këput një e nga një pemët e kalbura në xhunglën e drejtësisë që u ka marrë shpirtin shqiptarëve për 30 vjet”, theksoi Rama.
“Kemi ende probleme me korrupsionin, por ne po e luftojmë si askush më parë. A thua këta erdhën nga hëna dhe korrupsionin e sollëm ne. Shpartalluam fenomenin e kanabisit dhe këta na akuzojnë sikur të ishin bërë njësh me minjtë në Lazarat që mbillnin dhe ndanin paratë bashkë me këta. Këta na akuzojnë për plagët që hapën vetë”, tha Rama.
“Kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve është të qeverisim deri kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në parlament. Ne nuk jemi si ata, e kemi marrë detyrën nga njerëzit dhe do e kryejmë deri në fund, nuk e kemi marrë detyrën me gjasme, po me gjithë shpirt”, tha kryeministri.