Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, ka deklaruar se forca politike që ai udhëheq, mbështet kërkesën për hapjen e listave të kandidatëve për deputet.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp ku ishte i pranishëm edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se me këtë vendim përmbushet kërkesa e një numri të madh qytetarësh të cilët kërkojnë hapjen e listave të kandidatëve për partinë që do të përfaqësojnë.
“Ne kemi vendosur që të mbështesin si PS një hapje të listave dhe t’i japim mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit. Është një vendim i cili reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej. Përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe që në këtë rast dua t’u jap të gjithëve mesazhin se asnjëherë nuk ka qenë për mua prioriteti komoditeti im, por gjithmonë prioriteti është që PS të reflektojë shoqërinë dhe interesat dhe ambiciet e shoqërisë”, deklaroi Rama.
Megjithatë, Edi Rama sqaroi se hapja e listave nuk do të thotë ndryshim sistemi. Dhe këtë e tregoi përmes 3 pikave.
“Janë tre elementë thelbësorë. Sistemi në vetvete, ne kemi një sistem rajonal dhe kjo nuk preket. Së dyti, madhësia e sistemeve zgjedhore, dhe kjo nuk preket. Dhe së treti KQZ, kjo preket, por kjo vjen si produkt i 5 Qershorit”.
Sa i përket marrëveshjes së arritur me opozitën jashtëparlamentare PD-LSI, Rama u shpreh i bindur se nuk cënohet nga plotësimi i kërkesës së opozitës parlamentare për hapjen e listave.
“Lidhja e këtij procesi dhe vënia e kujës se duke u prishur marrëveshja e 5 Qershorit po bëhet diçka kriminale në raport me interesin e integrimit të vendit, është krejtësisht e pabazë. Marrëveshja e 5 Qershorit nuk mund ë preket nga ne. Ndërsa ideja që hapja e listave prish marrëveshjen, është një çmenduri. Aludimet që po u bë kjo, ne do bëjmë kështu e ashtu, nuk e ndihmojnë procesin me Europën. Por nga ana tjetër, peng PS-në dhe Kuvendin nuk e merr dot askush nga jashtë këtij Kuvendi dhe në raport me Europën ne jemi absolutisht të qartë”.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se marrëveshja e arritur më 5 Qershor e arritur me opozitën jashtëparlamentare nuk do të preket dhe PS do t’i përmbahet të gjitha amendamenteve të vendosura atëherë.
“Marrëveshja e arritur më 5 Qershor nuk do të preket asnjë prej amendamenteve. Dua të kuptoj që janë dy procese që ecin në mënyrë indipendente nga njëra-tjetra”, tha Balla.
Balla arsyetoi se shumica e shqiptarëve duan të japin një vlerësim në fletën e votimit jo vetëm për kryetarin e partisë, por edhe për kandidatët për deputetë. Prandaj sipas tij, në këtë mënyrë PS ka arritur në konkluzionin që vlerëson hapjen e listave. Megjithatë kjo bëhet duke garantuar disa dimensione të rëndësishme, ku njëra prej tyre është përfaqësimi gjinor.
“Pozicioni zyrtar i grupit parlamentar të PS është që jemi dakord në parim me tre ndryshimet e propozuara. Në fakt është një ndryshim, por që bashkëshoqërohet me ndryshime të tjera rregullatore. Kur bëhet hapja e listave zgjedhore është shumë e rëndësishme konceptimi i fletës së votimit në mënyrë që qytetari ta ketë të lehtë procesin e votimit. Për PS, shqiptarët duan jo vetëm të votojnë për kryetarin e partisë, por edhe një votë parapëlqyese për njërin prej kandidatëve në listat që marrin pjesë. Në këtë mënyrë kemi arritur në përfundimin që e vlerësojmë hapjen e listave. PS ka qenë refleksion i asaj që do shumica. Mbështesim një hapje e listave, që mund të garantojë disa dimensione të rëndësishme, pra përfaqësimi i drejtë gjinor”, tha Balla.
Listat e hapura janë një kërkesë e vazhdueshme e opozitës parlamentare, e cila ka kërcënuar se nuk do të votojë në Parlament Reformën Zgjedhore të arritur mes PS dhe opozitës jashtëparlamentare me ndërmjetësimin e ambasadorëve.