Kryesore Rama: Pse kriza në PD po dëmton vendin

Rama: Pse kriza në PD po dëmton vendin

Në intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës pas takimit që pati me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama u pyet edhe sesi po ndikon situata brenda Partisë Demokratike në vend.

“Ne nuk kemi pasur opozitë prej vitesh. Nuk është diçka e re përsa i përket qeverisjes, sepse opozita që kemi pasur ka qenë një opozitë muskujsh dhe jo një opozitë mendjesh. Por ajo që ndodh, jo vetëm që nuk është e lehtë, por edhe shumë dramatike, është një përçarje e madhe që reflektohet në një ndarje të madhe edhe në popull, tek njerëzit, duke shkatërruar premisat e një opozitarizmi modern, konstruktiv, europian, alternativë fituese por edhe natyrisht duke dëmtuar vendin, nuk diskutohet. Por ne nuk mund të ndryshojmë gjësendin në atë dinamikë, është një pengmarrje spektakolare e opozitës nga dy personazhe që janë tragji-komikë në përpjekjen e tyre për hir të vërtetës. Njëri i shpallur nongrata nga SHBA që është fundi i botës për një lider të çfarëdolloj organizate në një vend si Shqipëria dhe tjetri një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën. Po në fakt thjesht dhe vetëm është peng i vetvetes, janë dy udhëheqës, dy drejtues, dy personazhe pa asnjë legjitimitet”, tha Rama.