“Dje zhgarravinat e revolucionit. Sot dushi i regjimit. Nesër nis një javë e re punësh të mira”. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama teksa postoi këtë video në Twitter. Në të shihet hyrja e Kryeministrisë pas protestës së opozitës të shtunën, ku u hodhën tymuese dhe lëndë plasëse.
Në video po ashtu Rama tregon punonjësit të cilët pastrojnë hyrjen e godinës.
Protesta e opozitës një ditë më parë ishte paqësore, megjithatë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, disa protestues hodhën objekte piroteknike në shkallët e godinës duke bërë që të ndizej edhe një zjarr i vogël që u vu menjëherë nën kontroll.
Për këtë arsye policia procedoi penalisht 3 persona.
Ndërkohë, pasditen e së hënës pritet që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare, në orën 17:00. Në të njëjtën kohë, Berisha ka paralajmëruar një tjetër protestë para parlamentit.
DJE zhgarravinat e revolucionit🤡
SOT dushi i regjimit🚿
NESËR nis një javë e re punësh të mira👌 pic.twitter.com/34UxIEPjGt— Edi Rama (@ediramaal) February 12, 2023