Aktualitet Rama: Që nga 30 Prilli, mjekët specialistë do të kenë 50 mijë...

Rama: Që nga 30 Prilli, mjekët specialistë do të kenë 50 mijë lekë të reja plus

I pranishëm sot në Kongresin e Shëndetësisë, Kryeministri i vendit Edi Rama ka njoftuar se që nga data 30 Prill e këtij viti mjekët specialistë do të paguhen 50 mijë lekë të reja më shumë.

“I kemi rritur me 63% pagat që nga 2013 dhe kjo nuk mjafton sepse ndërkohë që gara bëhet më e madhe ne na dikton të shpejtojmë, jeta është ajo që ndodh kur ne jemi duke bërë plane të tjera dhe autonomia spitalore është një mekanizëm i ri që do të krijojë mundësi për paga më të mira, por jo të barabarta, Autonomia do t’ju rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, ata që bëjnë më shumë operacione e vizita. Në këtë Prill, jo në 1, por në 30 Prill mjekët specialistë do kenë 50 mijë lekë të reja plus, janë 6 mijë dollarë në vit me aritmetikën time”.

Rama theksoi se qeveria po punon për një pagë më dinjitoze për bluzat e bardha, kushte më të mira pune dhe investim në formimin dhe shkollimin e atyre që studiojnë për mjekësi.

Kryeministri tha po ashtu se ndërkohë edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, qeveria po përgatit rritje proporcionale me atë mjekëve specialistë.

“Ndërkohë që do të mbajmë zotimin për rritje 7 përqind të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët, shpresoj që mjekët specialistë mos na kërkojnë dhe 7 përqind mbi 50 mijë lekëshin. Edhe mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve u them se ne po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë. Besoj shumë që në hyrje të 2024 do të kemi edhe për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët një rritje të ngjashme. Dhe më në fund, nëse në Prill, ne me pagën e mjekëve specialistë, ngjitemi lart në pagat e rajonit dhe faktikisht barazohemi me Serbinë, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me pagat e tjera, pa diskutim brenda këtij mandati, por kjo është lufta ime dhe e Ogertës, me Ministren e Financave, mundësisht duke filluar nga 2024”, u shpreh kreu i ekzekutivit.