Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit.
Sipas tij, përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin, e në radhë të parë për opozitën joparlamentare!
“Raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet!”, thotë kryeministri Rama, ndërsa bën thirrje për dialog me opozitën jo parlamentare.
“Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë. Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë”, shkruan Rama në Twitter.