Kryeministri Edi Rama foli në konferencën e sotme për mediat edhe për sektorin e energjisë e të infrastrukturës. Deklaroi se falë investimeve në energji, është rritur me 15.3% kapaciteti energjitik prodhues i vendit.
“Humbjet në rrjet që i kemi gjetur në nivele katastrofike, janë faktikisht në reduktim të vazhdueshëm”, tha Rama.
Nga ana tjetër, theksoi se në infrastrukturë ka pasur zhvillime domethënëse sepse shumë nga punët e nisura kanë përfunduar.
Teksa rreshtoi projektet e finalizuara, e cilësoi “sfidë” punën që po bëhet me Tunelin e Murrizit.
“Është përfunduar Tuneli i Llogarasë, Thumanë-Kashar, Unazën e Madhe të cilën jeni të ftuar të gjithë për ta shijuar komplet e cila impakton 1/3 të popullsisë që banojnë në kryeqytet. Kemi Orikum-Dukat, segmentin Korçë-Ersekë. Një pikë kyçe ku na ka goditur fort syri i keq, Tuneli i Murrizit, po bëhet një punë kolosale për të përballuar një gjeologji që solli një surprizë të hidhur. Gjithë ajo punë kolosale po bëhet pa asnjë qindrarkë shtesë nga buxheti i shtetit. Për një arsye të thjeshtë me tre gërma, PPP. Puna po ecën dhe shpresojmë shumë që në Pranverë, të hapet edhe ai. Është shpallur fituesi për segmentin e ri Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe për segmentin Lekaj-Fier, që janë segmente të Korridorit Blu. Kur e prezantova në fushatë pati një të papërmbajtur gaz nga ata që i lanë rrugët rrugës të gjitha. Vijon zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë. Vazhdojnë edhe akse të Korridorit të 8-të, zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës.”
‘Qershia mbi tortë’ për kryeministrin është Qendra e Monitorimit të Trafikut.
“Nyja teknologjike e transportit, në sensin digjital, jo të hekurave. Do jetë e pajisur me sistemin më të avancuar në botë të monitorimit të trafikut, për të cilin kemi punuar edhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes me qeverinë e Emirateve të Bashkuara. Do bëhet implementim i shpejtë me një sistem survejimi me kamera, që do jenë të pajisura më fjalën e fundit të Inteligjencës Articiale.”