Kryeministri Edi Rama tha gjatë prezantimit të buxhetit të shtetit për vitin 2022 për Ministrinë e Brendshme se do të bëhet një diferencim mes atyre që punojnë pranë vendbanimit të tyre dhe atyre që punojnë larg shtëpisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se përgjatë gjithë këtij mandati, çdo vit do të rriten pagat për të gjithë punonjësit e policisë, por po ashtu edhe bonuset për ata që punojnë larg vendbanimit.
“Diferencim mes atyre që në darkë kthehen në shtëpi tek familja dhe atyre që janë detyruar t’u thonë fëmijëve natën e mirë me telefon. Këtu është vetëm fillimi me këtë ndërhyrje të parë dhe përgjatë gjithë këtij mandati çdo vit ne do të bëjmë që ky diferencim të bëhet kuptimplotë, duke rritur pagat për të gjithë, por duke rritur bonuset për ata që kontribuojnë për atdheun jashtë vendbanimit. Natyrisht që e bëjmë këtë sepse sot janë krijuar mundësitë për ta bërë këtë jo se nuk kemi dashur ta bëjmë më parë”, tha Rama.
Më herët, ministri Bledi Çuçi u shpreh se “për këtë vit kemi parashikuar që punonjësit e policisë që punojnë larg vendbanimit të tyre, do të përfitojnë një shpërblim sipas largësisë ku ata ushtrojnë detyrës, një pagë që shkon deri në 150% të pagës aktuale”.