Pas prezantimit të programit, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të gjysmës së opozitës, pasi Partisa Demokratike njoftoi më herët refuzimin për të paraqitur pyetje për programin e qeverisë së re.
Pyetjet e drejtuara nga deputetët e LSI-së lidheshin me infrastrukturën, shëndetësinë, bujqësinë, arsimin dhe politikat sociale.
Sa i takon infrastrukturës, Kryeministri Rama tha se synimi është rritja në pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të investimeve publike, që sipas tij do të japin një shtysë edhe në funksion të rritjes ekonomike. Objektiv do të jetë gjithashtu edhe rimëkëmbja e sistemit të rrugëve kombëtare.
“Synimi është garantimi i lëvizshmërisë me synim zhvillimin e sektorëve të turizmit, bujqësisë dhe trashëgimisë kulturore, përveç rimëkëmbjen e gjithë sistemit të rrugëve kombëtare. Do të ndërhyjmë tek rrugët kombëtare me një projekt madhor, që po përgatitet dhe do ta sjellim në Parlament”, tha Rama.
Sa i takon thithjes së investimeve të huaja, Rama tha se paketa e re fiskale do të parashikojë lehtësi për investitorë në sektorë të rëndësisë së veçantë.
Për shëndetësinë, Rama deklaroi se do të sigurohet që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të kujdesit shëndetësor, ndërsa tha se objektivi për të rritur me 40 përqind pagat për mjekët dhe mësuesit është tërësisht i realizueshëm.
“Politika jonë e mbulimit universal në shëndetësi do të vijojë duke rritur shpenzimet për shëndetësinë duke ecur drejt mbulimit universal shëndetësor për të gjithë. Rritja e pagave për mësuesit dhe mjekët me 40 përqind brenda këtij mandati. Skemë e financimit për të nxitur mjekët specialistë që të punojnë pranë spitaleve rajonale, apo spitaleve bashkiake jashtë Tiranës”, tha ai.
Bujqësia do të vijojë të jetë një prioritet edhe në mandatin e dytë.
“Qëllimi është që të ecim më shpejt me riorganizimin tërësor dhe fokus të posaçëm tek fermat njësi tregtare. Jemi të qartë që 100 përqind e tokës bujqësore me ujë, është një angazhim i arritshëm dhe brenda 2 viteve të para të mandatit do të jetë realizuar”, tha ai.
Rama foli edhe arsimin profesional, ku tha se do të jetë në dorë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ngritja e qendrave të arsimit profesional në bashkëpunim me njësitë e pushtetit vendor.