Kryeministri Edi Rama thotë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet në tërësi, situatë e cila ka ndikuar edhe për rritjen e kostove në sektorin e ndërtimit.
Gjatë një konference për mediat nga Kryeministria, Rama u shpreh se kjo është një nga faktorët pse ka mbetur pezull ndërtimi i Teatrit Kombëtar.
Sipas tij, problemi qëndron te zbatimi i projektit, pasi kompanitë nuk mund të marrin pjesë në garë me manualin ekzistues teksa çmimet janë rritur.
“Lufta në Ukrainë e cila ka ndikuar rritjen e çmimeve në tërësi dhe rritjen së çmimit të ndërtimit në veçanti. Jemi duke diskutuar për faktin se ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë problem sa i përket projektit të teatrit, i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë nga letrat në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve. Jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim sepse është e kotë që me manualin ekzistues t’ju kërkosh kompanive që ë marrin pjesë në gara që janë defakto shumë më të shtrenjta nga sa figurojnë në manualin ekzistues”, tha Rama.
Ndër faktorët e tjerë që kanë penguar ndërtimin e teatrit, Rama përmendi edhe tërmetin e nëntorit 2019 dhe pandeminë.
Kreu i qeverisë nënvizoi se po punohet për të gjetur një zgjidhje dhe teatri i ri do të ndërtohet ashtu siç është projektuar.