Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Fakultetin e Mjekësisë për hapjen e vitit të ri akademik.
Kreu i qeverisë deklaroi gjatë fjalës së tij se “së shpejti do të çelet spitali i ri dhe modern i Kirurgjisë, që do të vendosë një standard të ri në shërbimin shëndetësor”.
Gjithashtu, Rama theksoi se studentët e shkëlqyer e kanë rrugën e hapur për të kontribuar, “ndryshe nga 5-6 vite më parë”.
“Kemi hapur rrugë të re për të gjithë ata që janë më të mirët dhe që synojnë të kontribuojnë në institucionet e shëndetësisë apo praktikën spitalore. Kemi shumë studentë ekselentë të përfshirë në punë vetëm falë rezultateve të tyre. Kush del me rezultatet më të mira nga ky universitet, do ta ketë derën e hapur pa qenë i detyruar për të kërkuar rrugë të vjetra dhe alternative”, u shpreh kreu i qeverisë.