Kryeministri Edi Rama ka qenë në Bubq këtë të mërkurë për marrjen e shtëpie të reja të banorëve që janë prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Kreu i qeverisë tha se banorët hyjnë në shtëpi më të forta e më të bukura.
Ai theksoi se procesi i rindërtimit është për shqiptarët dhe jo për socialistët. Kryeministri nuk kurseu ironinë edhe me situatën në Partinë Demokratike.
“Vetëm duke pasur parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, kujdes me bravat se pastaj aty nuk është pjesë e programit të rindërtimit. Ruajuni nga ndërrimi i bravave, nga bllokimi i bravave, nga çelësat si i thonë anglez, quhet në gjuhën teknike, por ka edhe një emër tjetër në gjuhën shqipe, por nuk po e them tani, si ai që ngelet në derë…. Çelës si ai që të ngelet në derë. Kujdes nga këto. Këto nuk janë pjesa jonë. Unë e di që këtu në Bubq ka shumë demokratë, ju uroj shëndet. Ky nuk është një program për socialistët, ky është një program për shqiptarët. Dhe për mua shqiptarët janë njësoj kur është fjala për t’ju gjendur para në një moment fatkeqësie, janë njësoj kur vjen puna për t’ju dhënë shërbimet të cilat me ligj dhe zakon duhet t’i marrin nga shteti i tyre. Njësoj si demokratët dhe socialistët marrin sot kudo ku ne rindërtojmë shtëpinë që ju takon. Sa na takon të gjitha bravat janë të sigurta, si për socialistët, si për demokratët. Tashi kjo sëmundja që i ka zënë demokratët me bravat nuk është çështje e qeverisë dhe as çështje e socialistëve. Në këtë pikë kush do që të mos ketë probleme me bravën të bëhet socialist edhe je në rregull. Por ne prapë do t’u qëndrojmë afër dhe jam i bindur që komshinjtë socialistë do të ndihmojnë në zhbllokimin e bravave të komshinjve demokratë”, tha Rama.