Kryesore Rama, sërish për SPAK-un: I shkove pas avazit armikut nr.1 të Reformës...

Rama, sërish për SPAK-un: I shkove pas avazit armikut nr.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas deklaratave që bëri në Asamblenë e PS për punën e SPAK, duke thënë se i qëndron të gjitha komenteve që ai bëri.

Rama thotë se SPAK ka reaguar dhe ka deklaruar se ka pushuar çështjen për Ardian Dvoranin, për të cilin kryeministri tha se u hetua me shpejtësi të madhe nga SPAK pas kërkesës së Presidentit Meta.

Por Rama vazhdon të insistojë duke thënë se “SPAK i shkoi pas avazit armikut numër 1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës”.

Teksa shton se SPAK ende nuk ka nisur hetimet për asnjë nga ata që Kryeministri i konsideron si “kampionët e korrupsionit në drejtësi”.

“Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAKU të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit Armikut NR.1 të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!

Po meqë ka marrë përsipër të sqarohet publikisht, SPAKU do të duhej të sqaronte pse reagoi rrufeshëm, për një kallzim absurd për një vepër penale imagjinare të njeriut të shpallur nga DASH kampion i antikorrupsionit, ndërkohë që për kampionët e korrupsionit në drejtësi s’ka lëvizur ende gishtin!

SPAKU ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen tonë të palëkundur, por Shqipëria e shqiptarët meritojnë një drejtësi të drejtë, të gjithanshme e të guximshme dhe e meritojnë atë pa humbur kohë e pa shmangur kampionët me nam botëror të pushtetit gjyqësor apo politik të Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.