Kryeministri Edi Rama është nderuar ditën e sotme me titullin “qytetar nderi” në komunën Vaccarizzo Albanese në Kalabri të Italisë. Rama u prit në një ceremoni të posaçme mirëseardhje nga Kryetari i Bashkisë Antonio Pomillo, i cili teksa dorëzoi titullin u shpreh ndër të tjera se dhënia e Titullit Qytetar Nderi për Kryeministrin Rama “përfaqëson një akt mirënjohjeje dhe vlerësimi për angazhimin e tij, udhëheqjen e tij dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Shqipërisë është një gjest solemn që tregon lidhjen e thellë me komunitetin arbëresh.”
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, kreu i qeverisë tha se ndonëse mendon se nuk e meritonte, shton se ndihet shumë i nderuar.
“Dua të falënderoj kryekomunarin për këtë gjest miqësie dhe që më dhanë këtë nder që unë dua të them se nuk e meritoj, por që më bëhet shumë qejfi. Në këtë territor është historia e një pjesë të lirisë së Shqipërisë dhe dua të falënderoj gjithë shqiptarët që ikën edhe nga regjimi monist dhe erdhën këtu. Jam krenar për të gjithë dhe i dërgoj një falënderim vëllazëror”, tha Rama.
Ai tha se qeveria e tij do të punojë shumë që dy vendet të bashkëpunojnë fort për të mirën e përbashkët.
“Nga ana tjetër them edhe në emër të kryetarëve të Bashkisë Vlorë, Durrës dhe Shkodër një falenderim të madh për të forcuar lidhjen vëllazërore dhe lidhur partneritet”, përfundoi kryeministri Rama.