Pas nënshkrimit të 11 marrëveshjeve mes qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, kryeministri i vendit Rama dhe homologu i tij në Mal të Zi kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Në nisje të kësaj konference, fjalën e ka mbajtur kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç i cili është shprehur se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelet më të larta.
Dritan Abazoviç: “Kam nderin dhe kënaqësinë të përshëndes Edi Ramën dhe të gjithë ministrat në qeverinë e tij të cilët sot ishin mysafirë. Sot nga Podgorica u dërgua mesazhi i bashkëpunimit, e cila do të bazohet në zhvillimin ekonomik. Jam krenar që kemi bërë nënshkrimet për krijimin e projektit të madh infrastrukturor mbi lumin Buna. Synimi është që njerëzit të kenë akses më të lehtë që të zvogëlojnë trafikun gjatë verës, por edhe për perspektivë që zhvillimi në këtë zonë të jetë në një nivel më të lartë. Rama mori disa hapa për të mos penguar lëvizjen e lirë në lumin Buna, gjë e cila pas 70-80 vitesh po rikthehet përsëri.
Duam të themi që Mali i Zi dhe Shqipëria e shohin perspektivën në bashkëpunimin e ndërsjelltë. Ne jemi të dedikuar rreth integrimeve evropiane. Raportet që ka qeveria e Malit të Zi me Shqipërinë janë shembull për Ballkanin Perëndimor që duhet ta ndjekin dhe vende të tjera. Mali i Zi është i përkushtuar që mbledhje të tilla të zhvillojë dhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Mali i Zi mund të thotë me krenari që marrëdhëniet e tyre janë ngritur në nivelet më të larta me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve. Qytetarët nga ne presin që të punojmë për infrastrukturë dhe progres”.
Rama: Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë se sa fqinj
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kryeministri Edi Rama i konsideron të mira dhe dy vendet janë më shumë se sa fqinj mes tyre.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun malazez Abazoviç, Kryeministri Rama tha se dy shtetet kanë potencial akoma më të madh për bashkëpunim mes tyre.
“Kemi ndjerë ngrohtësinë e mikpritjes. Dua ta përsëris atë që thashë gjatë mbledhjes se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shmë se sa fqinj dhe mund të bëjmë shumë më tepër se ç’kanë bërë deri më sot. Takohemi në një moment shumë sfidues për Europën dhe vendet tona, dhe në këtë kontekst vlera e kësaj ngrohtësie dhe vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe. Kemi qenë së bashku kemi vizituar Kievin dhe Presidentit Zelensky në respekt të mandatin tonë si Kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar në krah të Ukrainës, të dy vendeve që janë të linjëzuara dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në të gjitha këto fronte janë themeli i një marrëdhënien që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u thelluar dhe fuqizuar më shumë.
E vërteta është që vitin e kaluar krahasimisht me të këqijat e përbashkëta të një lufte e cila ka nisur jo thjesht për të copëtuar Ukrainën por për të gjunjëzuar Europën përmes kthimit të energjisë në armë dhe nxitjes eksponenciale të inflacionit, kemi përjetuar edhe disa momente shumë të mira në aspektin e ecurisë sonë drejt integrimit të plotë në BE. Kemi parë se si BE është bërë më e hapur dhe më i ndjeshëm gjeopolitikisht ndaj rajonit, kemi parë se si më në fund Kosova mori një datë për liberalizimin e vizave, se si Bosnjës ju dha statusi kandidat, kemi parë se BE u spostua jashtë kufijve të BE për të mbajtur një samit në Tiranë.
Të gjitha këto janë pozitive por BE është korsi e përbashkët shpejtësia e të cilës lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal. Në këtë pikë Shqipëria dhe Mali i Zi janë të angazhuara. Dëshiroj ta falenderoj Kryeministrin për angazhimin e tij për gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falenderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në Qershor këtu në Malin e Zi.
Procesi i Berlinit do ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të Vjeshtës, data për t’u përcaktuar në Berlin në takimin që do kem të së shpejti me Kancelarin Scholz”, u shpreh Rama.