Kryeministri Edi Rama në një postim që ka bërë në rrjetet sociale ka njoftuar se së shpejti do të udhëtojë drejt Prishtinës.
Në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa marrë parasysh zhvillimet pas 24 shtatorit, kryeministri Edi Rama ia njeh meritat edhe Shqipërisë dhe për këtë thotë se ndihet shumë krenar.
Rama thotë se Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Më tej shprehet se është krenar për kontributin e Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të jem më krenar për kontributin e vendosur dhe konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draft-statuti ASMM-së i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune është draft i BE-së. Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve të fqinjësisë sonë. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time“, shkruan Rama.
Më herët, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri me dije se palët ishin të gatshme për të zbatuar marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve, në takimin e 26 tetorit në Bruksel, por sipas tij, nuk ranë dakord për modalitetet.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha për një televizion vendas se ua kishte bërë të qartë përfaqësuesve ndërkombëtarë se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB.