Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria do të vijojë përpjekjet për t’u bërë pjesë e Evropës, ndërsa shtoi se “nuk do të qëndrojë prapa derës dhe të qajë”.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “AFP”, kreu i qeverisë deklaroi se nuk pret asgjë nga metodologjia e re e BE-së apo nga Samiti i Zagrebit që do të mbahet në muajin maj.
“Nuk pres asgjë, ne duhet të bëjmë gjërat që duhet të bëhen, pavarësisht nga vendimet në Bruksel. Vendi nuk do të vazhdojë të jetojë me këtë ankth të pritjes për diçka që nuk është në duart tona”.
Ndër të tjera, Rama u shpreh plot bindje se Shqipëria bëri më shumë nga çdo vend tjetër për të nisur procesin për hapjen e negociatave në tetor të vitit të kaluar.
Sa i përket dëmit prej 985 milionë euro që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri shpreson se Konferenca e Donatorëve do t’i vijë në ndihmë Shqipërisë. “Ne e vlerësojmë organizimin e kësaj konference dhe shpresojmë që do të jetë e suksesshme”.