Kryesore Rama: Shqipëria nuk do të strehojë refugjatët e vendeve të pasura

Rama: Shqipëria nuk do të strehojë refugjatët e vendeve të pasura

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë lajmet e përhapura në mediat britanike se është arritur një marrëveshje për të sjellë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në ishull.

“Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë!”, tha Rama për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit politik të qarqeve.

Kryeministri tha se socialistët janë gati për zgjedhjet lokale, që pritet të zhvillohen në 6 bashki të mbetura pa kryetar. Ai tha se nuk ka ndërmend t’i bëjë kërkesë presidentit për diçka që është detyrë e tij.

Sa i përket përdorimit të patronazhistëve në zgjedhje, Rama i quajti aset i pazëvendësueshëm. “Të gjithë partitë që funksionojnë si të tilla e që fitojnë i kanë. Që nga partia Demokratike e Republikane në Amerikë. Kështu që nuk diskutohet që do të aktivizohen”.

Anglia po kërkon mënyra për të transferuar azilkërkuesit drejt Shqipërisë

Zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab, ka konfirmuar se qeveria po gjen mënyra për të nxjerrë jashtë Britanisë së Madhe azilkërkuesit.

Deklarata e tij erdhi pas një raporti ku bëhej me dije një plan për t’i transportuar azilkërkuesit drejt Shqipërisë.

Transportimi i azilkërkuesve nga një shtet në një tjetër është një praktikë e filluar nga Australia, fillimisht në Guinea e Re dhe tani në ishullin Nauru të Paqësorit.

Raab mbrojti Mbretërinë e Bashkuar që po provon të gjejë ide të ngjashme.

“Unë mendoj se është e drejtë, ka praktika të tilla në mbarë botën dhe t’i shohim këto si mundësi partneriteti ndërkombëtar”, tha Raab për Sky News.

Raab nuk mohoi artikullin ku thuhej se ministrat duan të transportojnë njerëzit që mbërrijnë nga Franca me varka të vogla në Shqipëri.

Në Sky News më vonë, kur Raab u pyet nëse njerëzit që kërkonin azil në Mbretërinë e Bashkuar do të dërgoheshin me avion në Shqipëri, ai tha: “Ky është një nga vendet, por ne jemi të gatshëm të shikojmë me partnerët nëse është e mundur të bëhet ky proces ndërkombëtar”.

Shqipëria ka mohuar më parë ndonjë plan të tillë, por gazeta Times raporton se janë zhvilluar “bisedime diskrete” me Tiranën për krijimin e një qendre azili.