Pas homologut e tij Albin Kurti, ishte kryeministri shqiptar Edi Rama ai që mori fjalën i fundit gjatë seancës së përbashkët në Tiranë të kuvendeve shqiptare dhe kosovare, në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë shqiptare.
Fillimisht e filloi fjalimin e tij duke kujtuar kontributin e 40 firmëtarëve, historia e të cilëve sipas tij “përshkohet nga funde tragjike, në kontrast me shkëlqimin e firmës së tyre”, dhe e mbylli me kujtimin e dy protagonistëve që mungonin në sallën e Kuvendit, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi, i pari që ka ndërruar jetë dhe i dyti që ndodhet në Hagë, që me lidershipin e tyre me LDK dhe UÇK-në mundësuan një ditë të tillë.
“Pa ata burra nuk dihet si do të vazhdonte tutje bashkëjetesa jonë. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por nuk besoj se shqiptarët kanë më mirë në raport me vetveten”.
Për Ramën, “nuk do të ishte e ndershme të thuhet se në 110 vjetorin e pavarësisë do të kishin imagjinuar se Kosova do të ishte e lirë, sovrane dhe pavarësia e saj do të ishte përfundimtare. Besoj se njohja e saj përfundimtare do të vij më herët sesa vonë, dhe se Kosova nuk do të presë aq shumë sa pavarësia për t’u njohur ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instance të botës ku ne jetojmë.
Më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut, që ishte vendi ku gjuha shqipe shihej si ajo e një palë të padëshirueshme, kur flamuri jonë shihej si provokim. Në 110-vjetorin e pavarësisë , aty shqipja është gjuhe zyrtare, me pjesëmarrjen më të madhe shqiptare në institucione dhe me kryetarin e parlamentit shqiptar. Pak do të mendonin që Mali i Zi do të mendonin se kryeministri do të ishte shqiptar”.
Sipas tij, “marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht të shkëlqyera, dy shtete të bashkuara nga një zemër, por janë edhe produkte, më shumë se në çdo kohë tjetër, dhe këtë e tregojnë faktet”.
Kryeministri përmend ato më të rëndësishme. “Mjafton të shohësh të dhënat e shkëmbimeve tregtare, apo lirinë e lëvizjes që dukej e pamundur, dhe deri tek abetarja dhe te puna për enciklopedinë shqiptare, apo bashkëpunimi në fushën e energjisë, si dhe vepra më e madhe e të ardhmes, porti dhe hekurudha. Për hekurudhën kompanitë me të mëdha në botë kanë ofruar nisjen e studimit të fizibiliteti, ndërkohë që në vitin e ardhshëm fillojnë punimet për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, që në 6 muaj do të shoh kantierin e saj, që do t’ i shërbejë të dy vendeve duke lidhur portin aty me portin e thatë në Prishtinë. Sot është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje që ka mbledhur të gjithë bashkë”.