Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në kryeministri me sipërmarrësit më të mëdhenj në Shqipëri, u kërkoi këtyre të fundit që ta vinin në provë qeverinë.
Ai tha se korrupsioni është një plagë që duhet luftuar dhe u kërkoi atyre që para se t’i binin shkurt duke përmbushur kërkesat e autoriteteve të korruptuar ta vënë në provë sistemin duke i raportuar ankesat.
“E vetmja gjë që do ua përsëris pa u lodhur është kjo: nuk mendoj se është e denjë, nuk është as etike, as patriotike që ju të zgjidhni rrugën e shkurtër, duke u bërë palë me të korruptuarit dhe korruptorët në sistemin e qeverisjes. Nuk është as etike dhe as patriotike që në vend që të ngrini telefonin ministres së shtetit drejtpërdrejtë që të marrë masa ndaj kujtdo që ju cenon qetësinë, të zgjidhni rrugën me histori pa fund…unë e di që ka 1001 arsye për të thënë që mirë, mirë, por situata është ndryshe, të thotë pse t’i hyj kësaj pune dhe pastaj të ndeshem me lloj-lloj situatash, ndërkohë që i bie shkurt”, tha Rama.
“Përkundër të gjithë këtyre arsyeve unë dua t’ju them se duhet të na vini në provë dhe në rast se nuk e konstatoni se nuk është kështu siç unë po them atëherë është e drejta juaj të ktheheni tek rruga e vjetër dhe t’i zgjidhni çështjet me marrëveshjet me zonën e errët të administratës”.
Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e Shtetit për mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.
“Të krijojmë një figurë të re në qeveri, figurën e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen që mund të quhet avokati i sipërmarrjes në qeveri. Për të krijuar kontakte në kohë reale për aspektet e punës tuaj.
Miku më i fortë i çdo sipërmarrje të jetë zyrtarisht qeveria dhe mos jetë nevoja për miq në kuptimin tradicional të fjalës, as në tatime dhe as ne dogana dhe askund tjetër.
Unë jam i bindur se ju të parët nëse do hapnit zemrën, të jeni të vetëdijshëm për sa shumë grabitqarë dhe parazitë ka akoma në administratën shtetërore. Besoj se jeni të parët që këta grabitqarë ne ti luftojmë sëbashku. Është e mundur që qeveria ti luftojë edhe pa ju, por do të zgjasë shumë kohë“, tha Rama.