“Është dita e parë pas fushatës dhe është dita për t’ju thënë se kur Kiara të bëhet 18 vjeç dhe të votojë për herë të parë do e kemi ndryshuar tërësisht Vlorën dhe do të jetë krejt ndryshe”, kështu u shpreh Rama pas zgjedhjeve në vitin 2013 në Vlorë, kur në krah kishte një vajzë të vogël, asokohe 11-vjeç.
E aty, kryeministri bënte një premtim, që kur kjo vajzë e vogël të mbushte 18 vjeç dhe të votonte për herë të parë, Vlora do të ishte e ndryshuar, një premtim që sipas tij është bërë realitet.
“Ajo goca e vogël është kjo vajza e gjatë dhe unë besoj se çfarë i thashë kur ishte e vogël atje pasi ju më dhatë besimin, sot është përpara syve të Kiarës, një realitet i transformuar”, tha Rama.
Ndërkohë, vajza e vogël që tashmë është bërë adoleshente tha se “çfarë është bërë në Vlorë nuk ka vend për fjalë”.
Partia Socialiste e mbyll fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit nga qyteti i Vlorës. Kreu i qeverisë shoqërohej në këtë ceremoni nga bashkëshortja Linda Rama, por edhe djali i vogël, Zaho.