Edi Rama sqaroi qëndrimin e tij dhe të mazhorancës në lidhje me përgjimet e nxjerra nga BILD ku grupi Avdylaj dhe në mënyrë të veçantë Astrit Avdylaj komunikonte në telefon me zyrtarë të bashkive të Durrësit dhe Shijakut.
Rama tha se nuk mund të mbajë përgjegjësi se çfarë diskutojnë në telefon disa plehra.
“Nuk merrem me plehra unë. Se çfarë flasin ca plehra në telefon me njëri-tjetrin unë nuk mbaj përgjegjësi. Kjo është një indicie dhe unë prandaj thashë e neveritshme. Përgjimet janë copëza dhe duhet të ketë një arsye që kjo botë përgjimet i konsideron indicie jo si prova”, tha kryeministri.
Megjithatë Rama i konsideroi përgjimet si përralla të opozitës. Ai tha se Avdylajt kanë qenë për 20 vite njerëz që kanë mbledhur vota për PD-në. Kryeministri madje shtoi se qeveria e tij, këta njerëz i ka çuar të gjithë para drejtësisë.
“Këto janë të gjitha përrallat e opozitës. Në Shqipërinë që qeveris unë këta janë në burg dhe ata si këta po ashtu. Në Shqipërinë që drejtoj unë i është hapur një luftë të gjithë krimit dhe po vendosen para drejtësisë të gjithë kriminelët. Dhe këto janë përpëlitje të opozitës. Preket vota, s’preket vota është një gjë që duhet provuar. Këta njerëz, këta plehra që dalin në përgjime 20 vjet kanë shërbyer si flamurtarë të PD. Dhe nëse në Shqipëri ka një njeri që blen vota ai ka qenë Sali Ramë Berisha. Ai ua merrte votën me dhunë shqiptarëve. Unë nuk kam marrë asnjë; nuk njoh asnjë”, tha shefi i qeverisë.
Edi Rama shtoi se PS dhe ai vetë ka vendosur një standard tjetër, nuk i ka dalë në mbrojtje asnjë zyrtari të vet, por i ka dhënë mundësi organeve të drejtësisë të hetojnë.
“Kjo parti dhe kjo qeveri ka vendosur një standart të panjohur në vend për mënyrën si reagon. Në këtë vend më thuaj një rast kur unë dhe Partia Socialiste nuk kemi reaguar moralisht. Unë e kam mbrojtur deri në momentin kur nuk kam pasur asnjë fakt. Dhe në momentin që ka dal një dokument unë jam tërhequr. Kryebashkiaku i Kavajës. Unë kam mbrojtur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ky grup kriminal për të cilin po flasim është në burg. Janë 60 e ca që janë në burg. Nuk i ka futur në burg as Saliu as gazetat, por qeveria. Patjetër që duhet gjëja, por skandali është se kjo gjë është mbajtur në sirtar dy vjet për tu nxjerrë tani për shantazh politik”, theksoi Rama.