“Nëse me pyesni sot a është gati Shqipëria për t’u futur në BE, unë do thosha “Jo”, Shqipëria nuk është ende gati për t’u futur ne BE. Por nuk mund t’i mbash vendet, të paktën Shqipërinë, në pozicionin që t’u thuash “keni bërë këtë, por duhet të bëni edhe këtë, edhe këtë”… nuk bën shumë sens dhe duket skizofrenike do të thosha”, tha Rama, gjatë fjalës së tij në konferencën e 10-të të “The State of the Union”, me temë “Europa në një botë që ndryshon”.
“Në Shqipëri, nuk ka rëndësi kush i fiton zgjedhjet kur bëhet fjalë për BE-në, sepse opinioni publik është shumë pro BE-së dhe nuk ka dyshim që rruga europiane nuk është një nga zgjedhjet, por e vetmja dhe përfundimtare. Nëse për disa shtete të tjera në rajon ka aktorë të tjerë me ndikim, nuk mendoj se kjo është e vërtetë për Shqipërinë. Me të tjerët kemi marrëdhënie të ndryshme, por asnjëra nuk zëvendëson synimin tonë për BE”.
Kryeministri komentoi edhe marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe procesin e anëtarësimit të saj në BE. “Turqia është kyçe për sigurinë e BE dhe BE është kyçe për forcimin e Turqisë. Ne kemi marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë, është partnere strategjike. Marrëdhënia me Erdoganin është e shkëlqyer, por dua ta bëj të qartë: nuk ka asnjë shenjë të asaj që disa burime pretendojnë se Erdogan dhe Turqia po bëjnë në rajon, rreth të ashtuquajturit proces të “neo-otomanizimit” dhe gjepura si këto. I jemi shumë mirënjohës Turqisë për restaurimin e siteve të trashëgimisë kombëtare, qofshin xhami, apo kisha”, tha Rama.