Në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka qenë i ashpër me SPAK-un, duke sjellë shembullin e gjyqtarit Ardian Dvorani, për të cilin tha se prokuroria e posaçme veproi me shpejtësi, ndërsa nga ana tjetër asnjë gjyqtar dhe prokuror i korruptuar që Vettingu e ka përjashtuar nga sistemi, nuk është përballur me drejtësinë.
Për Dvoranin, Rama tha se është shpallur kampion i luftës kundër korrupsionit nga ana e Sekretarit amerikan të Shtetit, ndërsa SPAK po e heton pas kërkesës së Presidentit Meta.
“A e dini ju që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga Sekretari i Shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit që të mos e lejonte të hynte në proces për t’u promovuar si gjykatës. Në mënyrë të rrufeshme a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë që për pak ditë apo javë më në fund do largohet nga zyra e Presidentit të Republikës. Nëse ky sahat zviceran do ishte vërtetë i pakonkurrueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës dhe prokurorë të nxjerrë nga Vettingut për pasuri të pajustifikueshme do ishin sot në burg? U bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj të sistemit të drejtësisë Vettingu i ka flakur përjashta. Ku janë ata sot? Me çfarë merren? Asnjë gjemb në këmbë nuk u hyn”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.