Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, prezantuan përpara një grupi fermerësh pr/buxhetin e hartuar nga qeveria për bujqësinë për vitin 2022.
Kreu i qeverisë, pasi shpjegoi synimet dhe fokusin e buxhetit për këtë sektor, u ndal dhe tek protesta e fermerëve të Lushnjës, të cilët për disa ditë me radhë kundërshtuan projektin e ri që do të financojë bujqësinë.
Edi Rama deklaroi se fermerët janë keqinformuar. Sipas tij, heqja e rimbursimit është bërë pasi prej tij përfitonin vetëm grumbulluesit e mëdhenj dhe se skema nuk ishte transparente. Kryeministri shtoi se ky fond tashmë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë.
“Dua ta filloj me atë elementin që ka shkaktuar konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar dhe në disa protesta të cilat janë legjitime. Por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Pse ne kemi vendosur të heqim rimbursimin e 6% dhe çfarë do të bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin sepse këto janë të nevojshme për të kuptuar. Në fakt është hedhur një hap përpara. Duket vendosur skemën 6% kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të prodhuesve të çojmë paratë te fermeri në raport me prodhimin e grumbulluar dhe shifra në fund ka rezultuar modeste dhe e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj dhe jo domosdoshmërisht ka shkuar te fermeri. Në këndvështrimin tonë ajo shumë që rezultoi rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejt në buxhetin e bujqësisë dhe në vend sesa të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent rimbursimi, ku pjesa më e madhe kontrollohet nga grumbulluesit të shkojë drejtpërdrejt për produktivitetin duke iu dhënë buxhetit të ministrisë së Bujqësisë. Një sektor i cili gjatë një viti prek shifrën e 3.5 mld sa mund të impaktohet nga vetëm 9 milionë dollarë”, tha kryeministri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë u shpreh se fermerët nuk mundet më të qëndrojnë vetëm po duhet të bashkohen për të pasur më shumë sukses dhe të studiojnë tendencën e tregut se kë produkt kërkon.
“Është e rëndësishme të kuptohet se sa më shumë kalon koha dhe strukturohet sektori me grumbullues, prodhues, tregtues të fuqishëm aq më e pamundur bëhet që në këtë sektor të jetosh i vetëm. Është trendi i zhvillimit që kërkon krijimin e sinergjive dhe aty ku shikojmë sukses ka sinergji mes atij që është në parcelë, atij që e grumbullon dhe të tjerëve që e shesin. Është e pakonceptueshme të shkosh përpara duke qëndruar tek parcela jote dhe pastaj natyrshëm që do të dalësh në rrugë dhe të kërkosh nga qielli që të shitet prodhimi sepse nuk shitet. Është e domosdoshme që të gjithë të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe për të mos prodhuar në drejtime me kundërshti me tendencën e tregut”, përfundoi Rama.