“Qeveria është shumë e vendosur ta çojë deri fund luftën me vjedhjen e ujit”.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama sot gjatë një dëgjese publike me qytetarët e Dibrës për planet e zhvillimit dhe shërbimet.
Kreu i ekzekutivit sqaroi se nuk bëhet fjalë për taksë pusesh familjare, por për fabrikat.
Pavarësisht se vendi ka qenë i mbushur me informacione, zor se ka pasur diçka si puna e taksimit të puseve që ka shkaktuar kaq shumë debat.
“Dua ta përsëris se qeveria në bashkëpunim me bashkitë është e vendosur ta çojë deri në fund reformën për ujin dhe luftën me vjedhjen e kësaj pasurie kombëtare. Nuk bëhet fjalë për taksë pusesh, nuk bëhet fjalë për puset familjare, por për puset e fabrikave apo industriale. Ka fabrika uji që marrin ujë masivisht nga nëntoka për ta tregtuar dhe nuk paguajnë asnjë detyrim. Një gjë e tillë nuk ndodh në Gjermani apo në Itali”, deklaroi Rama.
Ai sqaroi se “kudo ku puset janë ndërtuar për vaditje në mungesë të sistemit vaditës, nuk bëhet fjalë që të vendoset taksë”.
Sipas tij, puset shfrytëzojnë ujërat nëntokësore që janë pasuri kombëtare.
”Ky është keqkuptim krijuar nga ata që duan të bëjnë diversion mes nesh dhe publikut”, tha Rama.