Aktualitet Rama: Sulmi në Arabinë Saudite synon të ndikojë më tej në sigurinë...

Rama: Sulmi në Arabinë Saudite synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë

Një sulm nga një organizatë terroriste ka ndodhur sot në një depo nafte në Arabinë Saudite. Në lidhje me këtë ngjarje, kryeministri i vendit, Edi Rama ka postuar një status në Twitter ku ka dënuar këtë sulm kundër Arabisë Saudite.

Në postimin e tij, Rama shkruan se “ky sulm synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë në një kohë të trazuar për të gjithë botën”.

“Një tjetër krim i neveritshëm kundër Arabisë Saudite, i cili synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë në një kohë të trazuar për të gjithë botën! Shqipëria qëndron në krah të Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së që të dënojnë me vendosmëri organizatën terroriste që qëndron pas sulmeve të tilla”, ka shkruar Rama në Twitter.

Sipas “Associated Press”, rebelët Houthi të Jemenit sulmuan një depo nafte në qytetin saudit të Jiddah.

Sulmi kishte në shënjestër të njëjtën depo karburanti që Houthi-t kishin sulmuar ditët e fundit, Uzinën Veriore të Jiddah Bulk që ndodhet në juglindje të aeroportit ndërkombëtar të qytetit dhe është një qendër kyçe për pelegrinët myslimanë që shkojnë në Mekë.

Autoritetet saudite pranuan se ishte një “operacion armiqësor” që synonte depon, pa përshkruar se çfarë ishte përdorur për këtë sulm.