Kryesore Rama sulmon Hagën: Thaçi, Veseli e Krasniqi mbahen peng në qelitë e...

Rama sulmon Hagën: Thaçi, Veseli e Krasniqi mbahen peng në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare që ka zhgënjyer këdo

Nga Prishtina, kryeministri Edi Rama ka lëshuar mesazhe të forta edhe kundër Gjykatës së Hagës ku prej pesë vitesh po vijon procesi ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Rama deklaroi në Kuvendin e Kosovës se “Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës”.

“Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së? Pa Hashim Thaçin e shokët e tij, që udhëtuan bashkë me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen e të tjerët, për të takuar historinë e re të shqiptarëve këtej bjeshkëve, nuk e dimë se çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në fillim të këtij shekulli. Por, e sotmja do t’i ngjante më shumë të shkuarës sesa të ardhmes pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa në krye Hashim Thaçin”, u shpreh Rama.

“Por, sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall Pavarësia e Kosovës, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës. Unë nuk e kam diskutuar kurrë të drejtën e asaj Gjykate Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, por ka një dyshim shumë të madh se ai proces është proces i parregullt ligjor dhe se normat e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate. Unë nuk rri dot pa ua thënë çudinë time se në këtë sallë nuk është marrë asnjë nismë për t’i kërkuar përmes një rezolute ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me shqetësimet mbi standardet e asaj gjykate. Ndoshta ky shqetësim mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është gjëmë e madhe për ata 4 persona dhe për integritetin e drejtësisë ndërkombëtare. Nuk mund të lejohet që ajo gjëmë, nëse është gjëmë, ta bëjë dëmin e vet. Dua ta dini që nëse Kuvendi i Kosovës do e ndërmerrte nismën për këtë rezolutë për të ndarë shqetësimin dhe nëse do të na kërkohej që një nisme të tillë t’i bashkohej edhe Shqipëria, PS do të angazhohej që të njëjtën nismë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, shtoi Rama.