Në spitalin e Traumës në Tiranë mes personave që janë shtruar të lënduar si pasojë e tërmetit janë edhe dy fëmijë 7 dhe 10 -vjeç, Aurel Lala dhe Alesio Cakoni. Dy fëmijët sipas ministres së Shëndetësisë kishin kërkuar që t’i vizitonte kryeministri dhe Edi Rama nuk nguroi që të shkonte për t’u lehtësuar dhimbjen nga trauma që përjetuan, edhe pse ende nuk e dinë se kanë humbur njerëzit e tyre të afërt.
Alesio Cakoni, 10 vjeç, ka humbur babanë dhe motrën.
10-vjeçari, sipas dajës së tij, u hodh nga kati i pestë i pallatit për të shpëtuar në momentin që ra tërmeti dhe sot fatmirësisht është mirë, ndërsa Aureli thotë Rama, u hodh nga kati i tretë për të vazhduar të jetojë gjatë. Aurel Lala ka humbur motrën nga tërmeti, nëna është lënduar lehtë, ndërsa babai ishte emigrant në Greqi dhe u kthye sapo mori vesh lajmin.
“Aureli fluturoi nga kati i tretë, ndërsa Alesio nga i pesti; për të vazhduar të jetojnë gjatë, duke i mbijetuar goditjes së tmerrshme mbi familjen dhe pallatin e tyre të vjetër në Thumanë. Dy fëmijët do të vijnë në shtëpinë time nëse nuk kanë të shkojë. Brenda mesit të dhjetorit do ketë shtëpi për të gjithë”, shkruan Rama.
Historitë kanë tronditur kryeministrin që u përlot në momentin që doli nga spitali.
Biseda e kryeministrit Edi Rama me Aurel Lalën
Aurel Lala: Kam shembje te krahu dhe nofulla
Edi Rama: Ti më kërkoje mua, po përse me doje?
Aurel Lala: Doja të shikoja nga afër
Edi Rama: Si të dukem nga afër? Si gogol?
Aurel Lala: Jo!
Edi Rama: Ku ka tërmet që të mposht ty, ti je si pallat. Loz basketboll ti?
Aurel Lala: Po! Basketboll dhe futboll, por për futbollin e kam topin.
Edi Rama: Më thanë se është një çun që të kërkon, nuk del nga spitali po nuk erdhi Edi Rama, do të rrish edhe nesër në spital.
Babai: Ky është tifoz i Juventusit.
Aurel Lala i bën dhuratë kryeministrit një çokollatë
Edi Rama: Rrofsh, do ta takohemi sërish bashkë. Por Facebook-un do ta mbyll. Ti nuk duhet të merresh me Facebook se e bën njeriun budalla, ishalla shpëtoj unë. Ti duhet libra dhe sport. Këtë (çokollatën) do ta mbaj kujtim në kryeministri prej teje, kur të vish do ta shikosh.
Biseda e kryeministri Edi Rama me Alesio Cakonin
Edi Rama: Çfarë ke?
Alesio Cakoni: Shpinën dhe shpatullën, 10 vjeç jam
Ogerta Manastirliu: Alesio kishte shumë dëshira. E para ishte se ka lënë librat në shtëpi
Edi Rama: Ti do të vish te shtëpia ime, do të prezantoj me Zahon dhe do të shohësh libra sa të duash. Librat i ke nga unë gjithë jetën. Kur të mos jem unë ke teta Ogertën. Unë do të jem për ty.
Ogerta Manastirliu: Donte edhe një Ipad ia plotësuam dëshirën?
Daja: Po i shkarkojmë ca lojëra
Ogerta Manastirliu: Librin e ka te koka
Edi Rama: Facebook, lojëra në ipad po, libra, libra sportin. Ai do të bëhet kolos. Sa i gjatë je ti? 145 kaq i vogël, sa Erjon Braçe. Kur të rritesh do të bëhesh sa unë. E njeh Braçen? Është njëri që bërtet, një shoku im që më mbyt, shyqyr që nuk e kam me vete. Me kë je tifoz?
Edi Rama: Obobob më shkatërroi. Më thuaj bluzën e kujt lojtari të Milanit do? Do të sjell bluzën e Donarumës, për ty Alesio. Ndërsa ty Aurel do të sjell bluzën e Ronaldos. Por Facebook dhe ipad jo, edhe Tv.
Daja: Alesio është hero është hedhur nga kati i pestë dhe sot është me këmbë e duar, është hero i vërtetë.
Edi Rama: Tjetër çfarë kërkese ke?
Daja: Kur të dalë nga spitali nuk ka ku të shkojë?
Edi Rama: Alesio kur të dalë nga spitali nëse nuk ka ku të shkojë do të vijë në shtëpinë time. Brenda mesit të dhjetorit do të kenë shtëpinë. Të hidhesh nga kati i pesë mos të kem unë shok të ngushtë ty. Zaho është më i vogël se ju por ka nevojë të marrë shembull nga ju.