Politika Rama takon bosin e “Pfizer”: Ambicia jonë, brenda shkurtit të nisë vaksinimi

Rama takon bosin e “Pfizer”: Ambicia jonë, brenda shkurtit të nisë vaksinimi

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto me Drejtorin e Përgjithshëm të Kompanisë Pfizer, e cila ka prodhuar vaksinën e parë të koronavirusit me efikasitet 95%.

“Takimi pozitiv me bosin e Pfeizer, Albert Burla, në qendrën e kompanisë prodhuese të vaksinës në Nju Jork, përmbylli komunikimet tona të kësaj vizite kërkimore për të siguruar vaksinën për Shqipërinë – një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet e një kërkese globale marramendëse”, shkruan kryeministri në Twitter bashkëngjitur fotos.

Kryeministri thotë se negociatat do të vazhdojnë edhe me dy kompanitë e tjera, Moderna dhe Astrazeneca. “Prodhimi është ende shumë më i ulët se sa kërkesa botërore! Por ambicia jonë është mos mbetemi mbrapa në radhën e stërgjatë të shteteve që kërkojnë vaksinën! Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca”.

Shefi i qeverisë thotë se ambicia është brenda dy muajve të parë të vitit 2021 në Shqipëri të nisë vaksinimi.

“Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t’ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat”, përfundon Rama,