Për herë të dytë po në tokë asnjanëse, kryeministri Rama është takuar me homologun grek Alexis Tsipras gjatë samitit 16+1 në Kroaci.
Në qendër ta takimit ishte çuarja përpara e diskutimeve të nisura për të mbërritur tek një marrëveshje për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.
Burime diplomatike, thanë për Top Channel, se takimi u vendos pak ditë më parë, ku dy liderët patën një bisedë telefonike, në të cilën, u bë kujdes të dilnin shumë pak detaje.
Po të njëjtat burime thanë se Tsipras, është i gatshëm të rihapë edhe një herë bisedimet lidhur me atë që palët e quajnë shporta e çështjeve dypalëshe, ku siç dihet, është dakortësuar një zgjidhje paketë për një sërë çështjesh të hapura mes dy vendeve, mes të cilave përcaktimi i vijës detare mes dy vendeve. Sipas burimeve, pala greke dëshiron mbylljen sa më të shpejt të një sërë problemesh mes dy vendeve, tashmë që procesi për emërtimin e Maqedonisë se veriut, ka përfunduar.
Ky takim vjen pas një bisede mes dy kryeministrave disa ditë më parë nga ku Tsipras ka shprehur shqetësim në lidhje me pronat në jug të Shqipërisë. Takimi i fundit mes Ramës dhe Tsipras u zhvillua dy vite më parë gjatë punimeve të OKB-së në New York./TCH