Kryeministri Edi Rama, me anë të një komunikimi në Facebook, bëri të qartë se taksat e naftës nuk do të hiqen.
“Taksat e naftës nuk do të hiqen dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën. Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i arsyes së kësaj zgjedhjeje. Duhet ta fusin mirë në kokë ata që flasin pa u informuar, se ato 290 milionë eurot që do të duhet t’i paguajmë deri në fund të vitit për të mos ngarkuar familjet për faturën e energjisë, nuk i paguajmë dot nëse mbajmë në të njëjtën kohë taksat më të ulëta në rajon”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “nga paketa e rezistencës sociale do të vijojmë të ulim taksat mbi pagën, për ata që kanë realisht nevojë për mbrojtje”.
“Çështja themelore nuk është se si të mos na dhembë koka kur mbushim makinën me naftë, por si të mos faturohet kriza mbi asnjë familje apo biznes të vogël. Dhe si t’u kompensojmë rritjen e çmimeve të shportës jo të gjithëve, por atyre që përgjithësisht nuk kanë makina dhe nuk kanë iPhone”, tha Rama.