Në një lidhje direkte me “Opinion”, kryeministri Edi Rama ka sqaruar pikat e planit financiar për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi në vendin tonë të shpallura sot.
Sa i takon pagave që do të vazhdojnë të marrin punonjësit e kompanive të ndryshme që janë detyruar të pezullojnë punën për shkak të koronavirusit, do të paguhen të gjithë me rrogën e plotë të munguar.
Rama ka thënë se për personat që kanë punuar në të zezë, të denoncojnë pronarin, e më pas qeveria do ta detyrojë këtë të fundit që t’i regjistrojë, duke pasur kështu mundësi që të kompensohen.
Edi Rama: Është përllogaritur që kompanitë me këtë garanci sovrane do të kenë mundësi t’i paguajnë punonjësit.
Blendi Fevziu: Kush do t’i dallojë kompanitë që kanë mundësi ta bëjnë dhe ato që nuk kanë?
Edi Rama: I takon kompanive dhe bankave dhe garancia e vendosur prej 100 milion dollarëve është mëse mjaftueshëm për ta përballuar.
Blendi Fevziu Sa do paguhet një punonjës?
Edi Rama: Çdonjëri do të marrë pagën e munguar, sa e ke pagën, sa ditë ke munguar dhe do të kompensohen një nga një të gjitha ditët.
Blendi Fevziu: Çdo person që ka ndërprerë punën për Covid-19 nuk do ketë humbje nga rroga?
Edi Rama: Absolutisht!
Blendi Fevziu: Ata që punojnë në kushtet e informalitetit…
Edi Rama: Ata është koha për të denoncuar pronarët nëse duan të kenë mbështetje, informaliteti nuk kompensohet nga asnjë shtet. Ata që marrin rrogë në të zezë është koha të denoncojnë pronarët nëse duan t’ua kompensojmë rrogën.