I pranishëm në konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, kryeministri Edi Rama ka listuar një sërë projektesh për të realizuar në vend përmes inteligjencës artificiale.
Një ndër ambiciet sipas Ramës është që në një kohë jo të largët, jo vetëm të arrihet të prodhohet në Shqipëri paraja, por edhe të gjithë llojet e letrave me vlerë.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se me inteligjencën artificiale po punohet që të integrohet në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës.
Gjithashtu, Rama u shpreh se po punohet për një sistem monitorimi të inteligjencës artificiale me kamera dixhitale që lidhet me sigurinë në rrugë e deri në shkolla.
Edi Rama: Ne i mirëpresim të gjithë goditjet dhe të gjitha leksionet sepse ne duam të bëhemi shumë më të mirë. Me inteligjencën artificiale po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës.
Tjetra që po punojmë aktualisht është produkti i sigurisë, i cili lidhet me sigurinë në rrugë që falë një sistemi që e këtë e kanë shumë vende të zhvilluara të kamera dixhitale, por bashkuar me një sistem të inteligjencës artificiale do të mund të monitorojë në kohë reale gjithçka që ndodh në rrugët e vendit dhe deri në qëlizën bazë të së nesërmes që janë shkollat. Do të ketë një raport ndryshe mes qytetarit dhe ligjit, ndërkohë që policia do të bëhet e padukshme në rrugët e vendit si rezultat i teknologjisë, do të ketë një raport ndryshe mes nxënësit, mësuesit dhe prindit, falë faktit që do të jetë në kushte sigurie.
Gjurmimi i transaksioneve me inteligjencë artificiale do të bëjë të mundur një përshkallëzim të rëndësishëm të luftës kundër informalitetit dhe mbi bazë rrisku, kompanitë dhe bizneset e mëdha dhe të vogla të mund të monitorohet nga ardhja në derë e personave që bëjnë kontrolle, të cilët për hir të vërtetës janë ende larg një prani e mirëseardhur në derën e një biznesi.
Për ta mbyllur me një tjetër produkt që do të na lehtësojë shumë në aspektin e gjurmimit të mallrave që hyjnë në Shqipëri, ne jemi duke përgatitur dhe besoj që do ta firmosim në javët e ardhme një marrëveshje me Emiratat e Bashkuara për të transformuar tërësisht shtypshkronjën e letrës me vlerë. Ambicia jonë në një kohë jo të largët që të arrijmë jo vetëm të prodhojmë në vend paratë, por të gjitha llojet e letrave me vlerë, përfshirë dhe gjithë çfarë ka në botën dixhitale përmes identifikimit të telefonit dhe jo përmes kartës së ID duke arritur që në gjithë këtrë sistem, të kemi një qeverisje që në 2030 të jetë e një niveli shumë më të lartë përsa i përket standardeve të respektit për ligjin, për qytetarin dhe për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Aty ku ne nuk jemi të parët, por jemi mbrapa të tjerëve është pjesa që ka të bëjë me sektorin privat të teknologjisë dixhitale dhe aty ne kemi shumë për të bërë që të dalim të parët, por edhe aty janë vendosur disa piketa të rëndësishme.