Për 3 ditë rresht në kryeqytet do të mbahet Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”. Këtë të Hënë, nga Pallati i Kongreseve mbajti fjalën e tij edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Ai e vuri theksin te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe te performanca e lartë në aspektin diplomatik vitet e fundit.
“Sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të sistemit të organizimit të vendit. Skuadra me repartet përgjegjëse për 33 kritere themelore, u vlerësuan me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, ku vendi mori një vlerësim të qartë për gatishmërinë për t’iu përmbajtur legjislacionit dhe standardit evropian në të gjitha fushat dhe me një hartë të qartë hapash e veprimesh për ta përmbushur më në fund këtë ëndërr të vjetër kombëtare.”
Kryeministri foli edhe për një plan të rritjes ekonomike që na afron më shumë me BE-në.
“Një politike e re e BE-së vjen përmes një instrumenti të ri financiar për krejt rajonin tonë që shkon përtej sistemit të mbështetjes me fondet IPA dhe adreson në mënyrë specifike një nevojë të madhe për të përmirësuardhe për të rritur konvergjencën ekonomike me vendet e BE. Duke hapur rrrugën që ndërkohë që ne negociojmë anëtarësimin, të mund të integrohemi gradualisht në hapësirën ekonomike dhe tregun e përbashkët evropian. Është diçka e re, u krijohet si mundësi vendeve të rajonit tonë dhe që lidhet me rolin tonë proaktiv dhe një qasje të re këmbëngulëse nga ana jonë për të bërë më të mirën në funksion të interesave tona. Plani i ri i rritjes është tashmë në dorën tonë, jemi në proces sistemimi të të gjithë hapave dhe piketave për të rritur masën e integrimit pa pritur që të bëhemi anëtarë. Pa na e kërkuar askush, ne kemi nisur një proces të ri përmes një synimi ambicioz për të lançuar reforma të reja, siç kemi bërë me Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin.”